e enjte, shtator 17

Peshkëpia: O njeri

Disa mendime mbi librin e Gëzim Peshkëpisë „O Njeri“

Ka dy histori në kokën time që besoj se do të më ndjekin pas tërë jetës. E para na vjen nga arti. Është piktura e Francisko Goyas „Saturni ha fëmijët“. E dyta, është historia e Jobit.

Në pikturën e Goyas tronditesh nga një pamje e tmerrshme: Errësira mbulon gjithandej Saturnin këtë burrë plak me gjunj të përthyer; gjaku kullon prej gojës së tij; sytë e shqyer si prej një deliri; gishtat që janë zhytyr në mish; një figurë fëmije a burri kokëprerë, i kapur fort mes tyre, gjymtyrët e tij janë shkulur, krahu është në gojën e Saturnit, kullon gjak – për ta bërë edhe më të paimagjinueshëm tmerrin, në variantin origjinal të „Saturni ha fëmijët“ të Francisco Goyas, ky zot kanibal është paraqitur me një penis në ereksion – imazh pastaj që humbi gjatë transferimeve prej murales në pëlhurë, duke na paraqitur në versionin që shohim sot, një zot aseksual, të preokupuar vetëm me shqyerjen e fëmijëve të tij. Aseksual siç paraqitet, na krijon dyshime që ata që ha, mund të mos jenë vetëm fëmijët e tij. Imazhi është kaq i fuqishëm, saqë bindesh se me siguri, ka jetuar edhe përpara se të hidhej në pëlhurë. Në fakt, miti i vjetër na është ngulitur thellë në tru, si ëndërr e keqe.

E kam parë në 1998 për herë të parë këtë pikturë. 10 vjet më pas ajo do të më risjellë të njëjtin tmerr dhe frikë, teksa shoh duarlidhur sesi Saturni gëlltit të birin. E shoh pikturën, e pafuqishme të bëj asgjë. Nuk mund ta ndaloj dot Saturnin, i cili në një pulitje sysh, rikrijohet nga e para, lind e plaket aty, duart i zgjaten, merr foshnjën nga djepi, foshnje që burrërohet sakaq, sytë i zgurdullohen, goja me erën e keqe i afrohet krahut. Një dhimbje e shurdhët. Fëmija nuk ka gojë të qajë, as duar të protestojë. Fëmija është i pafuqishëm. E po kaq e pafuqishme jam edhe unë. Duarlidhur. Megjithatë, kaq i fuqishëm është tmerri, saqë më duket se jam po aq fajtore, që qëndroj duarlidhur. Fakti që rri në heshtje, një spektatore, pa asnjë reagim, më bën fajtore edhe mua. Ju bën edhe juve fajtorë.

Të njëjtën ndjesi fajësie që përjetoj përballë kësaj pikture, përjetoja sa herë lexoja librat e Fatos Lubonjës. Të njëjtën, përjetova edhe pasi lexova librin e një njeriu, Gëzim Peshkëpisë.

Unë jam fare e re për të pat jetuar në kurrizin tim ndonjë gjë substanciale që ka lidhje me komunizmin. Tek unë, kujtesa për të shtrihet tek paranoja e „bisedat që bëjmë në shtëpi, nuk i themi jashtë saj“ apo tek imazhi i nënës time me këmishë nate, që zgjohej fare herët për të na siguruar shishen e qumështit. Sot, konstatohet me trishtim se tek brezi im kjo përvojë qarkullon vetëm nëpër forume interneti, më shumë si nostalgji. Pjesës më të madhe u mvishen sytë me avull sapo kujtojnë 1 Majin, vapiqet dhe arançatat, sandalet bukë peshku, portokallet për Vitin e ri. Nëpër gazeta elitare botohen artikuj që e paraqesin Saturnin si burrë të dashur, si dashnor të ndershëm, si baba të përkujdesur, si gjysh babaxhan. Nuk ka asnjë kritikë, nuk është bërë asnjë gjyq Nurembergu, nuk është vënë gishti mbi asnë ndërgjegje. Nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të shkruar historinë e viteve 1945 – 1990. Nuk e di ç’ka ndodhur me ligjin për dosjet, nga i cili mund të vijë ndonjë lloj katharsisi i shoqërisë, por ajo që dihet është se edhe sot e kësaj dite gishtat gjithë gongalla të Saturnit, i ndjejmë kudo në administratë. Do lidhim duart? Do shohim edhe njëherë gllabërimin?

Gëzim Peshkëpia na jep me një të shkruar mjaft elegante, inteligjente e humor të zi historinë e tij, në harkun kohor gjatë të cilit shkonte drejt gojës së Saturnit. Një histori e parë nga brenda, me skena të gjalla e të dhimbshme, jashtëzakonisht të dhimbshme. Histori njerëzish: Patër Aleksi, At Zef Pllumi, Agimi, Beqiri, Nasi, Skënderi, Samiu, Rexho, Fadili, Madu e shumë e shumë të tjerë – njerëz të cilët kanë patur përvoja të pabesueshme, tmerrësisht të dhimbshme e poshtëruese.

Në paragrafin e parë, ju përmenda se më ka bërë përherë përshtypje historia e Jobit. Jobi është njeriu, të cilit Zoti i ka dhënë të gjitha dhe vendos ta sprovojë, për t’i testuar besimin. Jobi humbet fëmijët, begatinë e bollëkun, gruan, shëndetin. Imagjinoni, pas sprovash e stërmundimesh që Jobi nga një njeri me gjithë të mirat shndërrohet në një endacak pa familje, pa katandi e i lebrosur e i uritur për bukën e gojës.

Në fund të historisë, Zoti ia rikthen Jobit, të gjithë ç’kishte humbur edhe më shumë, duke e shpërbyer për besnikërinë dhe durimin e tij emblematik.

Gëzim Peshkëpia thotë kështu në librin e tij: Lexova në një kalendar xhepi se çfarë kishin arritur të bënin njerëz të ndryshëm në moshën dyzetedy vjeçare. Kristofor Kolombi zbuloi Antilet (1493); L.V. Bethoven kompozoi Simfoninë IX (1812); Albert Ajnshtajni merr çmimin Nobel në fizikë (1921); Salvador Dali pikturon „Kërkimi i Shën Antonit“ (1946); Sigfrid Lenc shkruajti „Ora e gjermanishtes“ (1968), ndërsa unë arrita të çapitem përsëri në asfalt me mendimin për të riformuar familjen e shuar nga tsunami komunist...“

Libri i Gëzim Peshkëpisë „O njeri“ është libri i një të mbijetuari. Duke qenë se ishte nga ata njerëz të cilët nuk ndenjën duarlidhur gjatë diktaturës komuniste, por duruan pasojat e vlerave dhe integritetit të tyre njerëzor, leximi për njerëz të tillë, na zhvesh lakuriq, të shëmtuar dhe fajtorë. Dhe në anën tjetër, na mbush me kaq dashuri për njerëzimin.

Shkruajti: ndrt.snn

Nuk ka komente: