A mund të ketë lirizëm në një shtet autoritar? Si janë marrëdhëniet e lirizmit me revolucionin? Si formohet poeti lirik? C’arsye e motive, c’ngjarje e influencojnë në këtë krijim? C’rol ka nëna e tij? Në fund të fundit, kush është poeti lirik?
Kur në vitin 1969, Milan Kundera përfundoi në Paris veprën e tij, mendoi ta quante “Mosha lirike”, titull që u ndërrua me këshillën e botuesit të tij, të cilit ky titull i ngjau më ezoterik sec duhej.
Kam blerë për 3 euro, në një stendë librash të vjetër, një libër të Kunderës, me titullin tjetër, të ndërruar në momentin e fundit. “Jeta është gjetiu”. Libër botim i ’69. Përkthimi në anglisht nga Peter Kussi, mbase një nga përkthyesit më të mirë në anglisht të Kunderës.
Titulli i përket një fraze shumë të njohur të Rimbosë, frazë e cila është cituar nga André Breton në fund të “Manifestit Surrealist”. Në maj të 1968, po ashtu, studentët e Parisit e shkruan në muret e Sorbonës, si sloganin e tyre. (Nga parathënia e Milan Kunderës, e botimit anglisht të “Jeta është Gjetiu”).
Në stilin e librave të tjerë, “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, “Libri i të qeshurës dhe harrimit” edhe “Jeta është gjetiu” është ndarë në pjesë, një laborator antropologjik me shtatë kthina sipas 7 etapave të jetës së Jaromilit, poet i ri ne Çekosllovakinë soc-realiste.
Që nga lindja e derisa vdes në mënyrë tërësisht lirike nga tuberkulozi, libri trajton mes një gjuhe elastike dhe trysnuese njëkohësisht jo vetëm formimin e poetit, por sidomos është për t’u vecuar marrëdhënia që ka ndërtuar Kundera mes tij dhe nënës së tij, e cila quhet esëll dhe në mënyrë domethënëse: Mama.
Ajo është bija e një farmacisti me dy farmaci të begatshme në Pragë; një grua, që ka investuar një kapital të konsiderueshëm ndjenjash në marrëdhënien me të shoqin, inxhinier në një firmë ndërtimi – kapital që pret ta marrë të paktën fit e fit. Kur asgjë e ngjashme nuk ndodh, ajo dalëngadalë e tërheq depozitën e saj emocionale dhe zhvillon një qëndrim të ashpër anipse krenar, karshi të shoqit. Nëpërmjet personazhit të Mamas, Kundera na jep motive të të besojmë se trupi I zhgënjyer I një gruaje, ka mundësitë më të mëdha të jetë njëkohësisht edhe ai i një nëne më se të devotshme. Dhe nënat e devotshme, këto “dashnore të pasuksessme” duan t’i kenë bijtë e tyre të famshëm. Nëna e Jaromilit është e angazhuar që prej lindjes së tij, se I biri, Jaromili është artist. Poet. Ajo i blen të birit që nga vogëlia mjetet e duhura për t’I zhvilluar talentin, lexon para mikeshave dhe njerezve që vijnë në shtëpi, bon-mots e Jaromilit. Në gjithë këtë shkretëtirë që quhet Botë, i biri është shpresa. Është gjithë bota e saj e brendshme. Gjërat që nuk ka mundur të jetë kurrë.
A është pra i lirë Jaromili të zgjedhë që të jetë dikush tjetër?
Kundera përgjigjet se: “Liria nuk nis kur prindërit hidhen poshtë ose varrosen; liria vdes kur ke prindër. Është i lirë ai që s’ka dijeni mbi origjinën e tij…kur lind prej një veze të hedhur në pyll….ai që pështyhet prej qiellit dhe prek tokën pa një gram mirënjohjeje”
Në një frazë tjetër gjeniale dhe të papërsëritshme, Kundera nxjerr një përfundim fatal: Poetët lirikë, përgjithësisht vijnë nga shtëpi ku kanë urdhëruar gra. Ledi Uajlld, nëna E Rimbosë, frau Rilke, të gjitha kanë qenë figura qendrore në jetën e bijve të tyre lirikë. Historia përsëritet. Analogjitë janë sipërane ndaj cdo lloj përpjekje për të nxjerrë përfundime amatore.
Zgjidhja e këtyre lidhjeve mund të bëhet vetëm nëpërmjet Revolucionit. Jo vetëm personal, por sidomos politik. Është njëkohësisht e guximshme, largpamëse dhe mendjehapëse, karakteristika këto sidomos të Kunderës, të lidhësh lirizmin me revolucionin. Në libër, Jaromili, përmes poezisë, kërkon të drejtën të jetë burrë i ri. Dhe në përpjekje të vazhdueshme për t’i shpëtuar të jëmës, për të qenë burrë anipse njëkohësisht lirik, revolucioni politik është angazhimi më i kollajtë dhe më probabilitar.
Dhe në të vërtetë, ka një arsye të thjeshtë dhe të thatë pse kjo është kështu. Për zotin Kundera “për rininë, poezia dhe revolucioni është një dhe e vetme” Sipas tij, të dyja justifikojnë/ndihmojnë/ushqejnë njëra tjetrën. “Poezia i dha revolucionit zërin e saj dhe në këmbim, revolucioni e cliroi poezinë prej izolimit;
poeti tashmë di që po dëgjohet nga njerëzit, sidomos nga njerëz të rinj..”
Duke nisur nga Majakovski, Lorca dhe të tjerë, më të hershëm a më të vonë, kush më I suksesshëm e kush më fatkeq, poetët lirikë janë ata që kapërcejnë barrikadë mbi barrikadë. Trifon Xhagjika. Bilal Xhaferri.E mbase të gjithë poetët e panjohur që nuk iu bindën slloganeve..
A ka lirizëm në një shtet autoritar?
A ka poezi të vërtetë fundja, në një sistem të ngurtë dhe diktatorial?
Jaromili bëhet socialist dhe denoncon vëllain e të dashurës i cili kish bërë plane të arratisej. Vdekja e Jaromilit është simbas mendimit tonë një zgjidhje jo fort e gjetur e librit, por mbase vdekja është zgjidhja e çdo poezie të pamundur. Do ishte brenda gjithë angazhimit lirik nëse Jaromili do të kishte vrarë veten. Jo! Në libër ai vdes në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike nga ethet e tuberkulozit. Shaka drejtuar fundeve pa vdekje të librave socialistë? Është mbase më e thjeshtë. Shuarja e poetit nga ethet është vetëmse paqtim i mjegullt me Mamanë.
Një lot i madh i Mamasë dhe dora e ngrohtë e tij. E lodhur. Tmerrësisht e lodhur…Po! Gjithcka është në rregull. Arturi (Rimbo) është aty, ai nuk do të ikë. Arturi nuk do të ikë më kurrë. Gjithcka është në rregull…
“Jeta është gjetiu” – kështu shkruajtën një grup studentësh në muret e Sorbonës. Mbase vërtetë jeta është gjetiu, dhe të gjithë raptuset e Rimbosë, Majakovskit, Shellejt, Lorkës, ishin përplasje koke pas murit.
Njëmijë Rimbo të mbetur pas barrikadave të ngurta të shoqërisë ku jetonte.
Njëmijë Majakovskë majë fucive të djathit, në brymë të Tetorit.
Njëmijë këmisha të përgjakura të Trifon Xhagjikës përballë skuadrës së pushkatimit.
Mbase vërtetë jeta është gjetiu, dhe poezia nuk duhet marrë seriozisht.
Por sot, Milan Kundera na jep me këtë libër, një analizë të hollësishme dhe serioze të botës së brendshme të poetit, mënyrës sesi ai lind, dhe përplotësohet prej mjedisit, (më shumë prej pengesave sesa prej lehtësirave. Zoti Kundera sipërmerr këqyrje të vëmendshme të rrethanave historike, anipse eliptike, të jetës së poetëve të mëdhenj si Rimbo, Shelli, Halas.
Kjo sepse “për një novelist, tregon Kundera, një situatë e dhënë historike është një laborator antropologjik, në të cilën ai angazhohet me zbulimin e pyetjes thelbësore: Cfarë është ekzistenca njerëzore?”
Shkroi ndrt.snn
e shtunë, shtator 5
Kundera: Jeta është gjetiu
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment