e martë, shtator 29

Goethe dhe Schiller në transmetim të drejtëpërdrejtë

Goethe dhe Schiller, dy ikona të historisë së letërsisë gjermane, janë të mirënjohur edhe për miqësinë e tyre. Kjo miqësi u kultivua, midis të tjerash, edhe nëpërmjet një letërkëmbimi intensiv që u ndërpre në vitin 1805 si pasojë e vdekjes në moshwn 46 vjeçare të Schillerit. Midis vitit 1794 dhe 1805, për 11 vjet, të dy letrarët shkëmbyen me njëri-tjetrin rreth 1000 letra.

Gisbert Damaschke, gjermanist dhe publizist, ka krijuar një blog në të cilën po boton të gjitha letrat e Goethes dhe Schillerit, duke respektuar datat në të cilën ato janë shkruar, por të zhvendosura në kohë me 215 vjet. Letrën e parë të kesaj korrespodence ia ka shkruar, me 13 Qershor 1794, Schiller Goethes, dhe i kërkon bashkëpunimin për gazeten e tij “Die Horen“.

Cfarë përgjigje i dha Goethe Schillerit? Këte dhe përgjigjet për shumë pyetje të tjera i gjeni këtu. Lexim të mbarë për 11 vitet e ardhshme.

Der Briefwechsel zwischen Schiller und Goethe, Blog

e premte, shtator 18

Ne vend te parodise

Diku, në mostoken time
Epilogu i romanit "Tuneli" nga Mira Meksi

15 mars 1997

Ernesto Sabatos

Të humba qe në castin e pare. Ndonese ardhjen tende në Tirane, udhetimin qe nga Buenos Airesi, mberrritjen, takimin tone, të gjitha i kisha perllogaritur me shume kujdes oreve të gjata të vetmise në një klinike Të Zagrebit, ku arrija të ndjeja deri edhe aromen e pamundur të rrezeve të ftohta të kobaltit mbi trupin tim dhe, me pas, i organizova gjer në hollesite me të vogla.

Nga një lajthitje kohe, nuk munda të ndodhesha në rruginen e lulezuar të aeroportit qe të të shihja kur të zbrisje nga avioni dhe të të derdhesha perpara; me friken e humbjes në zemer, të kerkova mes turmes dhe të gjeta aty, - me pasaporte në dore, perpara sportelit, perziere me njerez anonime, - me frike në shpirt se mos kishe shkelur në një toke të gabuar. Me peshperite; nuk doja të mbyllja syte pa pare malet e Shqiperise. Ky vend me kujton nenen time; pata kohe të të thosha, nderkohe qe të perktheja fjalet e mireseardhjes se Ministrit të Kultures, se edhe une kisha një tunel brenda vetes, të erret dhe vetmitar, njelloj si tuneli yt, se isha molepsur nga cmenduria e embel e Castelit. Kisha filluar të perktheja Tunelin tend. Një buzembremje të pyeta: Po vertet, maestro, e tradhetonte Maria piktorin? Me veshtrove i habitur dhe me the: C’të të them, une nuk di me teper se ti. Fatin e personazheve të mi nuk e vendos une, ata kane fatin e tyre, sic kam une fatin tim dhe ti tendin.

Ka kaluar me teper se një vit qe atehere. Tani e kam mbaruar perkthimin dhe me duhet të shkruaj per të, per jeten, per vepren tende; tamam tani, e kam të pamundur të bej analiza, të shkruaj, fjala vjen, Tuneli eshte romani i deshperimit dhe i moskomunikimit, eshte roman i një njeriu maniak, qe bredh pas të pakapshmes – dhe e pakapshmja eshte kthimi në femijeri ... etj etj.

Tani kam nevoje vetem të të gjej (O zot, sa i larget kontinenti yt!) të të shkund nga supet eshtake dhe të bertas si Neruda: Ernesto, mos i mbyll syte, eja të shohesh gjakun neper rruge. Ernesto të kujtohet Xhevoja, të kujtohen vargjet e tij qe të perktheva? E godite, e pergjaken Lorken tone, Ernesto!

Une nuk e di se c’bej në kete qytet të huaj buze liqenit, rrethuar nga pemet, paqja, pranvera, ku degjohet vetem klithma e zogjve detare dhe llapashitja e valeve. Me ngjan se jam arratisur, arratisur pa e ditur, per të mos pare shkaterrimin e vendit tim, të vendit tone. Ernesto, ku ndodhet sot shpresa?

Me kujtohet se një nate, kur po degjonim se bashku një tango argjentinase, (a nuk the ultaz, perreth nesh kishte shuem të ftuar nderi, se tangoja eshte një vdekje e kercyer?) ti me shkrove me germa të dridhura mbi një pecete letre fjalet e saj: Ku ishe ti, Zot, kur vdiq i dashuri im? Po tani, Ernesto, tani qe po me digjet shpirti, ku eshte Zoti?

Porsa bie muzgu, shkoj të shetis bregut të vetmuar të liqenit, shpesh të rrahur nga era, dhe mundohem të gjej të kaluaren, të të gjej ty dhe fjalet e tua: nga pashpresa lind shpresa, pas nates vjen dita. Kam frikese nuk me perket me e ardhmja, se kam një vullkan të madh brenda vetes, se ai shperthen cdo dite, se krateri i tij eshte i vulosur dhe se gjemimi i tij do të me beje cope e therrime; syte me jane mavijosur si syte e cmendura të Virginia Eoolf-it në pikturen tende „Pamje e fundme e Virginia Eoolfit“ dhe nuk jam në gjendje të kerkoj.

Kam frike se nuk do të të gjej dot me, Ernesto.

Mira

e enjte, shtator 17

Peshkëpia: O njeri

Disa mendime mbi librin e Gëzim Peshkëpisë „O Njeri“

Ka dy histori në kokën time që besoj se do të më ndjekin pas tërë jetës. E para na vjen nga arti. Është piktura e Francisko Goyas „Saturni ha fëmijët“. E dyta, është historia e Jobit.

Në pikturën e Goyas tronditesh nga një pamje e tmerrshme: Errësira mbulon gjithandej Saturnin këtë burrë plak me gjunj të përthyer; gjaku kullon prej gojës së tij; sytë e shqyer si prej një deliri; gishtat që janë zhytyr në mish; një figurë fëmije a burri kokëprerë, i kapur fort mes tyre, gjymtyrët e tij janë shkulur, krahu është në gojën e Saturnit, kullon gjak – për ta bërë edhe më të paimagjinueshëm tmerrin, në variantin origjinal të „Saturni ha fëmijët“ të Francisco Goyas, ky zot kanibal është paraqitur me një penis në ereksion – imazh pastaj që humbi gjatë transferimeve prej murales në pëlhurë, duke na paraqitur në versionin që shohim sot, një zot aseksual, të preokupuar vetëm me shqyerjen e fëmijëve të tij. Aseksual siç paraqitet, na krijon dyshime që ata që ha, mund të mos jenë vetëm fëmijët e tij. Imazhi është kaq i fuqishëm, saqë bindesh se me siguri, ka jetuar edhe përpara se të hidhej në pëlhurë. Në fakt, miti i vjetër na është ngulitur thellë në tru, si ëndërr e keqe.

E kam parë në 1998 për herë të parë këtë pikturë. 10 vjet më pas ajo do të më risjellë të njëjtin tmerr dhe frikë, teksa shoh duarlidhur sesi Saturni gëlltit të birin. E shoh pikturën, e pafuqishme të bëj asgjë. Nuk mund ta ndaloj dot Saturnin, i cili në një pulitje sysh, rikrijohet nga e para, lind e plaket aty, duart i zgjaten, merr foshnjën nga djepi, foshnje që burrërohet sakaq, sytë i zgurdullohen, goja me erën e keqe i afrohet krahut. Një dhimbje e shurdhët. Fëmija nuk ka gojë të qajë, as duar të protestojë. Fëmija është i pafuqishëm. E po kaq e pafuqishme jam edhe unë. Duarlidhur. Megjithatë, kaq i fuqishëm është tmerri, saqë më duket se jam po aq fajtore, që qëndroj duarlidhur. Fakti që rri në heshtje, një spektatore, pa asnjë reagim, më bën fajtore edhe mua. Ju bën edhe juve fajtorë.

Të njëjtën ndjesi fajësie që përjetoj përballë kësaj pikture, përjetoja sa herë lexoja librat e Fatos Lubonjës. Të njëjtën, përjetova edhe pasi lexova librin e një njeriu, Gëzim Peshkëpisë.

Unë jam fare e re për të pat jetuar në kurrizin tim ndonjë gjë substanciale që ka lidhje me komunizmin. Tek unë, kujtesa për të shtrihet tek paranoja e „bisedat që bëjmë në shtëpi, nuk i themi jashtë saj“ apo tek imazhi i nënës time me këmishë nate, që zgjohej fare herët për të na siguruar shishen e qumështit. Sot, konstatohet me trishtim se tek brezi im kjo përvojë qarkullon vetëm nëpër forume interneti, më shumë si nostalgji. Pjesës më të madhe u mvishen sytë me avull sapo kujtojnë 1 Majin, vapiqet dhe arançatat, sandalet bukë peshku, portokallet për Vitin e ri. Nëpër gazeta elitare botohen artikuj që e paraqesin Saturnin si burrë të dashur, si dashnor të ndershëm, si baba të përkujdesur, si gjysh babaxhan. Nuk ka asnjë kritikë, nuk është bërë asnjë gjyq Nurembergu, nuk është vënë gishti mbi asnë ndërgjegje. Nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të shkruar historinë e viteve 1945 – 1990. Nuk e di ç’ka ndodhur me ligjin për dosjet, nga i cili mund të vijë ndonjë lloj katharsisi i shoqërisë, por ajo që dihet është se edhe sot e kësaj dite gishtat gjithë gongalla të Saturnit, i ndjejmë kudo në administratë. Do lidhim duart? Do shohim edhe njëherë gllabërimin?

Gëzim Peshkëpia na jep me një të shkruar mjaft elegante, inteligjente e humor të zi historinë e tij, në harkun kohor gjatë të cilit shkonte drejt gojës së Saturnit. Një histori e parë nga brenda, me skena të gjalla e të dhimbshme, jashtëzakonisht të dhimbshme. Histori njerëzish: Patër Aleksi, At Zef Pllumi, Agimi, Beqiri, Nasi, Skënderi, Samiu, Rexho, Fadili, Madu e shumë e shumë të tjerë – njerëz të cilët kanë patur përvoja të pabesueshme, tmerrësisht të dhimbshme e poshtëruese.

Në paragrafin e parë, ju përmenda se më ka bërë përherë përshtypje historia e Jobit. Jobi është njeriu, të cilit Zoti i ka dhënë të gjitha dhe vendos ta sprovojë, për t’i testuar besimin. Jobi humbet fëmijët, begatinë e bollëkun, gruan, shëndetin. Imagjinoni, pas sprovash e stërmundimesh që Jobi nga një njeri me gjithë të mirat shndërrohet në një endacak pa familje, pa katandi e i lebrosur e i uritur për bukën e gojës.

Në fund të historisë, Zoti ia rikthen Jobit, të gjithë ç’kishte humbur edhe më shumë, duke e shpërbyer për besnikërinë dhe durimin e tij emblematik.

Gëzim Peshkëpia thotë kështu në librin e tij: Lexova në një kalendar xhepi se çfarë kishin arritur të bënin njerëz të ndryshëm në moshën dyzetedy vjeçare. Kristofor Kolombi zbuloi Antilet (1493); L.V. Bethoven kompozoi Simfoninë IX (1812); Albert Ajnshtajni merr çmimin Nobel në fizikë (1921); Salvador Dali pikturon „Kërkimi i Shën Antonit“ (1946); Sigfrid Lenc shkruajti „Ora e gjermanishtes“ (1968), ndërsa unë arrita të çapitem përsëri në asfalt me mendimin për të riformuar familjen e shuar nga tsunami komunist...“

Libri i Gëzim Peshkëpisë „O njeri“ është libri i një të mbijetuari. Duke qenë se ishte nga ata njerëz të cilët nuk ndenjën duarlidhur gjatë diktaturës komuniste, por duruan pasojat e vlerave dhe integritetit të tyre njerëzor, leximi për njerëz të tillë, na zhvesh lakuriq, të shëmtuar dhe fajtorë. Dhe në anën tjetër, na mbush me kaq dashuri për njerëzimin.

Shkruajti: ndrt.snn

e enjte, shtator 10

Rosales: Engjelli im

Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për Rosales. Më duket se ka qenë viti 2004 kur kam hasur për herë të parë në emrin e tij. Në rrethana disi të çuditshme : pa hyrë në hollësira, librin e tij e kam parë një ditë përdhe, e kam marrë, e kam fshirë, dhe e kam hapur në faqen e parë :

Mbi fasadën e shtëpisë, mund të lexohej boarding home, por e dija se ky do të ishte varri im. Ishte një nga ato strehët e pista ku përfundojnë njerëzit që i ka dënuar jeta. Shumica të çmendur. Por edhe pleq të braktisur nga familjet e tyre, të braktisur për të vdekur nga vetmia dhe për të mos ua nxirë jetën fitimtarëve.
- Këtu do të jesh mirë, thotë halla ime, e ulur në timonin e Chevroletit të saj të ri të markës së fundit. Këtu nuk do të bësh asgjë, do të jesh rehat, do ta shohësh.

Dhe kam vendosur përnjëherë ta kem në bibliotekën time. Toni i librit ishte dhënë : do të hyja në një botë të panjohur, të mbushur plot me qenie të harruara, pa dhëmbë dhe që mezi ecin, në një botë të egër. Kam vajtur dhe e kam blerë. Pas tre orësh, kisha lexuar dhe fjalitë e fundit :

Ngrihem. Në një qoshe të sallonit, Reyes, qorri, pshurr ngadalë. Arsenio vërsulet drejt tij dhe heq rripin e pantallonave. Me togëz, ai jep një goditje të fortë mbi shpinën e qorrit plak. Lëshohem mbi Arsenion dhe ia rrëmbej rripin nga duart. E vërtis përsipër kokës sime dhe e lë të bjerë, me aq sa më ha krahu, mbi trupin skeletik të qorrit plak.
Përjashtë, Caridad mulatja thërret për darkën. Do të ketë peshk të ftohtë, oriz të bardhë dhe thjerrëza të gjalla.

Si kam dalë nga ky lexim ? Krejt i tronditur. Në një përmasë tjetër. I lënduar, i vrarë, i zemëruar, i tërbuar, i nënshtruar, të gjitha këto ndjenja ndërroheshin me njëra-tjetrën në vijimin e faqeve. Një libër i madh. Vetëm 120 faqe. Vetëm 5 euro. Një perlë që nuk bie në sy.

Por për çfarë flet ky roman ?
Duhet thënë që në fillim se romani është pothuaj autobiografik, sepse vetë autori i tij ka shëtitur nga azili në azil për të gjetur pak prehje. Kubanez, tashmë gjysmë i çmendur në vendin e tij, ai mërgon në SHBA-ës pas hapjes së kufinjve nga Kastro për të droguarit, të çmendurit, kriminelët. Rosales përfundon në një azil pleqsh, të çmendurish, të lëçiturish të shoqërisë amerikane.
E megjithatë, ai kishte qenë një shkrimtar në vendin e tij, nuk ngjante me këta shokë të azilit që nuk mbajnë dot nevojat e veta, apo që janë gati për të shpërthyer në një mizori të pafund.
Pak fjalë mbi ngjarjet e romanit, pa dashur të shpoj misterin :
William Figueras (personazhi kryesor, i cili rrëfen ngjarjen në vetën e parë), i shoqëruar nga halla e tij, shkon të futet në një azil. Atë e kanë lëçitur të gjithë të afërmit e tij, përveç kësaj halle që ka ende ca fije mirësie në shpirt. Sapo ai fut këmbën në këtë azil, Figueras bën një përshkrim të hollësishëm të azilantëve të tjerë : pleq të harruar, plaka të çmendura, një indian ("dëshmitar i heshtur i ligësisë së botës"), një homoseksual e plot qenie të tilla të braktisura nga bota.
Por Figueras është një njohës shumë i mirë i letërsisë, ai ka lexuar të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, Proust, Joyce, Hesse, etj. E kjo mospërputhje me çka sheh ai rreth e rrotull i jep atij të shtyrën për të rënë pak nga pak në kthetrat e çmendurisë.
Ditët kalojnë dhe Figueras na rrëfen si funksionon një azil : dhuna është fjala kryesore. Dhunë falas. Pa shkak, pa kurrfarë ndjenje në shpirt. Mirëpo, ja që një ditë, në azil vjen dhe një grua disi më e re, Francine, që Figueras, pak nga pak, do të lidhet me të në një lloj marrëdhënie disi surealiste : mes një nxitje për ta vrarë dhe një dashurie të pashprehshme. Në fakt, a mund të dashurohen dy qenie të humbura në fund të pusit ? A iu ka mbetur ende në zemër diçka që të fërgëllojë ? Duket se po. Të paktën Figueras na bën të ditur që ndjenjat njerëzore nuk vdesin kurrë, edhe në ferr. Dhe ai dashurohet pak nga pak, në një lloj dashurie tragjike pa rrugëdalje, e rrugëdalje të cilën ai fillon ta kërkojë me çdo kusht. Ai dëshiron të largohet nga azili, me ato pak para pensioni që i ka lidhur shteti amerikan, dhe të fillojë një jetë të re me Francinen, si gjithë të tjerët. Mirë, por a mundet vallë një vullnet njeriu të përplaset me muret e botës, me muret burokratike që kjo botë i ka ngritur për t’u mbrojtur nga "ata", të pistët, të neveritshmit, nga ata që ju rëndojnë ndërgjegjen ?
Nuk do ta them vazhdimin e romanit, por mund të them se është një nga romanet më tronditës që kam lexuar. Një ngjarje e tillë ju mbetet në mendje për një kohë të gjatë, ndoshta përjetë. Dhe ne dalim të ndryshuar nga kjo. Në fakt, e çfarë roli tjetër do të kishte letërsia dhe leximi në mos ndryshimi dhe lartësimi i lexuesit ?

Romani është shkruar në një gjuhë të qartë, të prerë, në vetën e parë, ritmi është tejet i lartë, ne jemi me Figueras ngado ku shkon ai, ne vuajmë me të, qajmë me të, dashurojmë me të, e pamundur që lexuesi të shkëputet nga faqja.
Rosales ka vrarë veten në vitin 1993, në moshën 46 vjeçare në Miami të SHBA-ës. Tre vjet më parë, ai kishte humbur dhe mikun e tij të ngushtë, Reinaldo Arenas, shkrimtar i madh kubanez, i vetëvrarë dhe ky.
Nota ime prej lexuesi : 5/5

Ps : ky roman do të dalë këto ditë në qarkullim, në Tiranë, nën përkthimin tim. Gjatë përkthimeve të mia, dy herë më ka ndodhur që të vuaj dhe fizikisht : novela "Patriotizëm" e Yukio Mishima, dhe romani "Engjëlli im" i Guillermo Rosales.

Shkruajti: un

e shtunë, shtator 5

Kundera: Jeta është gjetiu

A mund të ketë lirizëm në një shtet autoritar? Si janë marrëdhëniet e lirizmit me revolucionin? Si formohet poeti lirik? C’arsye e motive, c’ngjarje e influencojnë në këtë krijim? C’rol ka nëna e tij? Në fund të fundit, kush është poeti lirik?

Kur në vitin 1969, Milan Kundera përfundoi në Paris veprën e tij, mendoi ta quante “Mosha lirike”, titull që u ndërrua me këshillën e botuesit të tij, të cilit ky titull i ngjau më ezoterik sec duhej.
Kam blerë për 3 euro, në një stendë librash të vjetër, një libër të Kunderës, me titullin tjetër, të ndërruar në momentin e fundit. “Jeta është gjetiu”. Libër botim i ’69. Përkthimi në anglisht nga Peter Kussi, mbase një nga përkthyesit më të mirë në anglisht të Kunderës.
Titulli i përket një fraze shumë të njohur të Rimbosë, frazë e cila është cituar nga André Breton në fund të “Manifestit Surrealist”. Në maj të 1968, po ashtu, studentët e Parisit e shkruan në muret e Sorbonës, si sloganin e tyre. (Nga parathënia e Milan Kunderës, e botimit anglisht të “Jeta është Gjetiu”).
Në stilin e librave të tjerë, “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, “Libri i të qeshurës dhe harrimit” edhe “Jeta është gjetiu” është ndarë në pjesë, një laborator antropologjik me shtatë kthina sipas 7 etapave të jetës së Jaromilit, poet i ri ne Çekosllovakinë soc-realiste.
Që nga lindja e derisa vdes në mënyrë tërësisht lirike nga tuberkulozi, libri trajton mes një gjuhe elastike dhe trysnuese njëkohësisht jo vetëm formimin e poetit, por sidomos është për t’u vecuar marrëdhënia që ka ndërtuar Kundera mes tij dhe nënës së tij, e cila quhet esëll dhe në mënyrë domethënëse: Mama.
Ajo është bija e një farmacisti me dy farmaci të begatshme në Pragë; një grua, që ka investuar një kapital të konsiderueshëm ndjenjash në marrëdhënien me të shoqin, inxhinier në një firmë ndërtimi – kapital që pret ta marrë të paktën fit e fit. Kur asgjë e ngjashme nuk ndodh, ajo dalëngadalë e tërheq depozitën e saj emocionale dhe zhvillon një qëndrim të ashpër anipse krenar, karshi të shoqit. Nëpërmjet personazhit të Mamas, Kundera na jep motive të të besojmë se trupi I zhgënjyer I një gruaje, ka mundësitë më të mëdha të jetë njëkohësisht edhe ai i një nëne më se të devotshme. Dhe nënat e devotshme, këto “dashnore të pasuksessme” duan t’i kenë bijtë e tyre të famshëm. Nëna e Jaromilit është e angazhuar që prej lindjes së tij, se I biri, Jaromili është artist. Poet. Ajo i blen të birit që nga vogëlia mjetet e duhura për t’I zhvilluar talentin, lexon para mikeshave dhe njerezve që vijnë në shtëpi, bon-mots e Jaromilit. Në gjithë këtë shkretëtirë që quhet Botë, i biri është shpresa. Është gjithë bota e saj e brendshme. Gjërat që nuk ka mundur të jetë kurrë.
A është pra i lirë Jaromili të zgjedhë që të jetë dikush tjetër?
Kundera përgjigjet se: “Liria nuk nis kur prindërit hidhen poshtë ose varrosen; liria vdes kur ke prindër. Është i lirë ai që s’ka dijeni mbi origjinën e tij…kur lind prej një veze të hedhur në pyll….ai që pështyhet prej qiellit dhe prek tokën pa një gram mirënjohjeje”
Në një frazë tjetër gjeniale dhe të papërsëritshme, Kundera nxjerr një përfundim fatal: Poetët lirikë, përgjithësisht vijnë nga shtëpi ku kanë urdhëruar gra. Ledi Uajlld, nëna E Rimbosë, frau Rilke, të gjitha kanë qenë figura qendrore në jetën e bijve të tyre lirikë. Historia përsëritet. Analogjitë janë sipërane ndaj cdo lloj përpjekje për të nxjerrë përfundime amatore.
Zgjidhja e këtyre lidhjeve mund të bëhet vetëm nëpërmjet Revolucionit. Jo vetëm personal, por sidomos politik. Është njëkohësisht e guximshme, largpamëse dhe mendjehapëse, karakteristika këto sidomos të Kunderës, të lidhësh lirizmin me revolucionin. Në libër, Jaromili, përmes poezisë, kërkon të drejtën të jetë burrë i ri. Dhe në përpjekje të vazhdueshme për t’i shpëtuar të jëmës, për të qenë burrë anipse njëkohësisht lirik, revolucioni politik është angazhimi më i kollajtë dhe më probabilitar.
Dhe në të vërtetë, ka një arsye të thjeshtë dhe të thatë pse kjo është kështu. Për zotin Kundera “për rininë, poezia dhe revolucioni është një dhe e vetme” Sipas tij, të dyja justifikojnë/ndihmojnë/ushqejnë njëra tjetrën. “Poezia i dha revolucionit zërin e saj dhe në këmbim, revolucioni e cliroi poezinë prej izolimit;
poeti tashmë di që po dëgjohet nga njerëzit, sidomos nga njerëz të rinj..”
Duke nisur nga Majakovski, Lorca dhe të tjerë, më të hershëm a më të vonë, kush më I suksesshëm e kush më fatkeq, poetët lirikë janë ata që kapërcejnë barrikadë mbi barrikadë. Trifon Xhagjika. Bilal Xhaferri.E mbase të gjithë poetët e panjohur që nuk iu bindën slloganeve..

A ka lirizëm në një shtet autoritar?
A ka poezi të vërtetë fundja, në një sistem të ngurtë dhe diktatorial?
Jaromili bëhet socialist dhe denoncon vëllain e të dashurës i cili kish bërë plane të arratisej. Vdekja e Jaromilit është simbas mendimit tonë një zgjidhje jo fort e gjetur e librit, por mbase vdekja është zgjidhja e çdo poezie të pamundur. Do ishte brenda gjithë angazhimit lirik nëse Jaromili do të kishte vrarë veten. Jo! Në libër ai vdes në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike nga ethet e tuberkulozit. Shaka drejtuar fundeve pa vdekje të librave socialistë? Është mbase më e thjeshtë. Shuarja e poetit nga ethet është vetëmse paqtim i mjegullt me Mamanë.

Një lot i madh i Mamasë dhe dora e ngrohtë e tij. E lodhur. Tmerrësisht e lodhur…Po! Gjithcka është në rregull. Arturi (Rimbo) është aty, ai nuk do të ikë. Arturi nuk do të ikë më kurrë. Gjithcka është në rregull…

“Jeta është gjetiu” – kështu shkruajtën një grup studentësh në muret e Sorbonës. Mbase vërtetë jeta është gjetiu, dhe të gjithë raptuset e Rimbosë, Majakovskit, Shellejt, Lorkës, ishin përplasje koke pas murit.
Njëmijë Rimbo të mbetur pas barrikadave të ngurta të shoqërisë ku jetonte.
Njëmijë Majakovskë majë fucive të djathit, në brymë të Tetorit.
Njëmijë këmisha të përgjakura të Trifon Xhagjikës përballë skuadrës së pushkatimit.
Mbase vërtetë jeta është gjetiu, dhe poezia nuk duhet marrë seriozisht.
Por sot, Milan Kundera na jep me këtë libër, një analizë të hollësishme dhe serioze të botës së brendshme të poetit, mënyrës sesi ai lind, dhe përplotësohet prej mjedisit, (më shumë prej pengesave sesa prej lehtësirave. Zoti Kundera sipërmerr këqyrje të vëmendshme të rrethanave historike, anipse eliptike, të jetës së poetëve të mëdhenj si Rimbo, Shelli, Halas.
Kjo sepse “për një novelist, tregon Kundera, një situatë e dhënë historike është një laborator antropologjik, në të cilën ai angazhohet me zbulimin e pyetjes thelbësore: Cfarë është ekzistenca njerëzore?”

Shkroi ndrt.snn


e premte, shtator 4

Qosja: Mjerimi i provincializmit

Më 27 gusht 2009, Gazeta Shqiptare dhe gazeta Korrieri botuan reagimet e katër shkrimtarëve ndaj ligjëratës sime të mbajtur në Seminarin XXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në Prishtinë. Përpos reagimeve të këtyre katër shkrimtarëve - Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka, Gazeta Shqiptare i paralajmëroi, me fotografi, edhe reagimet e shkrimtarit Nasho Jorgaqi dhe të poetit e botuesit Bujar Hudhri, por reagimet e tyre në këtë numër të saj nuk i pamë. Reagimin e këtyre katër shkrimtarëve e botoi shpejt edhe gazeta e Prishtinës Koha ditore, por e botoi me një titull të falsifikuar. Mendimin e Besnik Mustafajt: në qoftë se është e vërtetë se Rexhep Qosja ka thënë se letërsia shqipe nuk e ka arritur nivelin e letërsisë evropiane "atëherë duket se ai ka kohë që nuk lexon letërsi shqiptare", gazeta Koha ditore e bëri mendim të të gjithë shkrimtarëve shqiptarë: "Shkrimtarët shqiptarë vlerësojnë se Qosja ka kohë që s'ka lexuar letërsi shqipe". Unë nuk besoj se falsifikimet e tilla përbëjnë moralin e gazetës Koha ditore, po të një gazetari që keqpërdor Kohën ditore për hesapet e veta. Reagimi i katër shkrimtarëve të përmendur, Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka shkaktoi mandej baticë-kiç reagimesh në media dhe në forume të ndryshme. Si shembull të këtyre reagimeve dua të përmend reagimin e kallakanxhës së PDSH-së, e quajtur Miranda Haxhia, e cila me gjuhë të pistë e të shëmtuar, të ushtruar në klanet ku përket, shkruan për çka ia arrin dora, por nuk ia arrin mendja servile! U turrën patriotët e kafeneve ta mbrojnë letërsinë shqipe prej shkrimtarit dhe studiuesit të saj, i cili për të ka bërë më shumë se të gjithë ata së bashku me të gjithë paraardhësit e tyre, me të gjithë farefisin e tyre dhe me të gjithë punëdhënësit e tyre! Në rastet më të shpeshta këto janë reagime të rrogëtarëve të moçëm e të rinj të dy partive të të dy anëve; të rrogëtarëve të cilët për shkencën letrare shqipe shkruajnë pa e pasur asnjë sprovë për letërsinë shqipe; të cilët për letërsinë evropiane flasin pa dalë ende prej botës letrare të Zhyl Vernit e të Elin Pelinit; të cilët për servilët e neveritshëm të diktaturave gjykojnë si të ishin ende në fakultetin e Zhdanovit! Dhe, le të shkruajnë ashtu, le të flasin ashtu dhe le të gjykojnë ashtu: nuk do të mbeten të pashpërblyer prej padronëve.

Reagime befasuese

Reagimet e shkrimtarëve Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka ishin për mua befasuese. Dhe, ishin befasuese për disa arsye. E para, unë kam mbajtur një ligjëratë dhe, siç thuhet në teoritë letrare dhe në retorikat klasike të letërsisë, ligjëratat u drejtohen atyre që i dëgjojnë, domethënë atyre që janë në sallë. E dyta, ajo ishte ligjëratë e folur, e pashkruar, prandaj të gjitha interpretimet e saj në gazeta, në radio, në televizion a në forume të ndryshme janë interpretime të gazetarëve. Ato nuk kanë autorizimin tim, të dëshmuar me nënshkrimin tim, prandaj nuk mund të merren si paraqitje e saktë e mendimeve të mia. Siç mund ta dinë reaguesit e përmendur ndaj ligjëratës sime, intervista që një vetje i jep një gazetari çmohet intervistë e tij, e pranuar prej tij, vetëm kur autorizohet, domethënë kur merr nënshkrimin e tij. E treta, Gazeta Shqiptare dhe gazeta Korrieri, prej informatave të pesë gazetave të Prishtinës për ligjëratën time morën vetëm informatën e gazetës Expres. Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka pranuan të reagojnë ndaj ligjëratës sime duke marrë për bazë shkrimin e një gazetari, që artikullin e tij e fillonte me fyerje dhe me urrejtje për ligjëruesin! Sikur reagimi i tyre të ishte i nxitur prej motivesh parimore letrare dhe kulturore, atëherë fyerjet dhe urrejtja e gazetarit do të duhej t'i bënin të dyshonin në saktësinë e pohimeve të tij.

Zhvillimi atipik i letërsisë kombëtare

Siç shihet prej reagimeve të tyre, katër shkrimtarët e përmendur nuk kanë ndonjë dije për dukurinë historiko-letrare, që kam trajtuar në ligjëratën time. Ka mbi 50 vjet që për zhvillimin atipik të disa letërsive kombëtare në Evropë flasin historianë evropianë të letërsisë, midis të cilëve edhe komparatisti i lavdishëm, Pol Van Tigem. Për këtë dukuri janë botuar edhe vepra të veçanta historiko-letrare. Ata përdorin nocionet: zhvillim atipik, zhvillim i shpejtuar, zhvillim i ngadalësuar, zhvillim i veçantë, zhvillim i letërsive të popujve të pushtuar (në Perandorinë Otomane dhe në Perandorinë Austro-Hungareze), e disa nocione të tjera.
Çka do të thotë zhvillim atipik, zhvillim i shpejtuar i një letërsie kombëtare? Do të thotë se ajo letërsi, për shkaqe historike, për shkaqe se populli që e ka krijuar nuk ishte i lirë, nuk kishte zhvillim të lirë shoqëror, politik, kulturor, ekonomik, nuk do të arrijë t'i shprehë veçantitë themelore të letërsive që janë zhvilluar në kushte normale historike. Për këtë arsye brenda një periudhe letrare, fjala vjen brenda romantizmit a brenda realizmit, ajo do të nxitojë të shprehë veçantitë ideore dhe stilistike të rrymave, shkollave e formacioneve stilistike të ndryshme. Kështu, për shembull, në letërsinë tonë të Romantizmit gjejmë veçanti të Renesansës, të Klasicizmit, të Iluminizmit, të Realizmit; në letërsinë pasromantike, domethënë në letërsinë midis dy luftërave botërore, gjejmë veçanti të Realizmit, të Romantizmit të Klasicizmit, të Parnasizmit, të Simbolizmit, madje, edhe të Ekspresionizmit (te Migjeni). Është e qartë: letërsia shqipe, si edhe letërsitë e popujve të pushtuar, nxiton t'u afrohet dhe t'u shëmbëllejë letërsive të mëdha evropiane-franceze, italiane, gjermane, angleze, duke shprehur brenda një periudhe veçantitë e disa rrymave, shkollave, formacioneve stilistike, që në ato letërsi janë shprehur normalisht, në, si ta themi, kronologji brenda një formacioni. Dhe kështu ka ngjarë në letërsinë shqipe deri sot. Duke u përpjekur të shprehë përvojën krijuese evropiane, letërsia shqipe bën përpjekje që të arrijë edhe nivelin artistik të letërsisë evropiane e kur thuhet të letërsisë evropiane mendohet në letërsitë e mëdha evropiane: franceze, italiane, angleze, gjermane, spanjolle, ruse. Të mohosh rëndësinë shkencore të një krahasimi të këtillë në studimet historiko-letrare, siç bën njëri prej reaguesve, domethënë të mohosh një shkencë shumë të rëndësishme: letërsinë krahasimtare. E gjithë kjo që them, besoj, tregon qartë se ligjërata ime mbi zhvillimin atipik, domethënë të shpejtuar, të letërsisë shqipe bazohet në një koncept, që unë nuk ia kam imponuar letërsisë, por që e kam nxjerrë prej vetë veçantive të zhvillimit të saj. Dhe, ky koncept flet në favor të vetëdijes krijuese të krijuesve të kësaj letërsie: ata do të donin ta bëjnë letërsinë shqipe si letërsitë e mëdha evropiane jo vetëm për nga rrymat, shkollat, formacionet stilistike, por edhe për nga nivelit artistik. Por, nuk do të arrijnë. E kuptueshme. Thuhet se shekulli XVIII ishte një shekull i mjerë politik e shoqëror në historinë gjermane, por në atë shekull populli gjerman krijoi letërsi të madhe dhe filozofi të madhe. Mjerimi politik, shoqëror, ekonomik i gjermanëve në atë shekull ishte mjerim që nuk e pengonte krijimtarinë; mjerimi ynë politik, shoqëror, ekonomik deri në ditët tona ishte, ndërkaq, i veçantë dhe ishte pengues për krijimtarinë. Po shohim se, në një mënyrë, pengues është ky mjerim edhe sot. Siç shihet, në ligjëratën time unë kam folur jo për vlerat evropiane - se togfjalëshi vlera evropiane ka kuptime të ndryshme, por për nivelin evropian të letërsisë shqipe. Dhe, kam thënë: këtë nivel artistik, estetik, të letërsisë evropiane letërsia shqipe ende nuk e ka arritur. Pikërisht, ky pohim i ka nxitur katër shkrimtarët e sipërpërmendur të reagojnë bashkërisht kundër meje.

Mustafaj dhe krahasimi mes Londrës e Librazhdit

Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Behar Gjoka pohojnë se letërsia shqipe ka arritur nivel artistik evropian. Besnik Mustafaj është aq zemërgjerë ndaj meje, saqë edhe romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë e shpall roman të nivelit artistik evropian. Por, mua nuk më duhet ky kompliment i tij i pavërtetë. As romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, as romanet e mi të tjerë, që vetë mendoj se janë më të mirë se ai, nuk kanë vlerë letrare artistike të nivelit evropian. Jo. Nivelet letrare artistike evropiane, nivelet shkencore dhe filozofike evropiane, besoj se i njoh pak a shumë. Gjithë jetën kam punuar që t'i njoh. Niveli letrar evropian, fjala vjen, është niveli, që kanë caktuar Eskili, Dante, Servantesi, Shekspiri, Monteskie, Volteri, Didroja, Rusoi, Rasini, Molieri, Gëteja, Shileri, Shatobriani, Manconi, Balzaku, Hygoja, Dikensi, Floberi, Bodleri, Tolstoji, Dostojevski, Prusti, Xhojsi, Kafka, Niçeja, Herman Brohu, Muzili. Niveli letrar evropian është njëkohësisht niveli që sot caktojnë Kamyja, Tomas Mani, Sartri, Margarit Jursenar, Gynter Grasi, Umberto Eko, Hoze Saramago, Salman Rushdi, Mishel Furnie, Zhan d'Ormeson... Kënaqësinë e jashtëzakonshme që më sjell leximi i veprave të tyre vazhdimisht ma përcjell një shqetësim i madh: sa modeste janë veprat e mia në krahasim me ato të tyre! Sa modeste është letërsia shqipe në krahasim me letërsinë që kanë krijuar dhe krijojnë ata! Njohësi i letërsive të mëdha evropiane dhe i letërsisë shqipe do të mund të thoshte: të krahasosh, për nga vëllimi dhe për nga cilësia letërsinë shqipe me letërsinë franceze, gjermane, angleze, italiane është si të krahasosh, për nga madhësia dhe për nga vlera arkitekturore, Librazhdin me Londrën, si të krahasosh Lipjanin me Parisin! Por, për Besnik Mustafajn, Diana Çulin, Ylljet Aliçkajn dhe Behar Gjokën nuk është ashtu. Prej reagimit të tyre del se për ta Librazhdi është si Londra, kurse Lipjani si Parisi. Dhe, le të kënaqen me të vërtetën e tyre: se Librazhdi dhe Lipjani janë si Londra dhe Parisi. Ajo është kënaqësia e tyre dhe ajo është shija e tyre.

Aliçkaj dhe diferenca me shkrimtarët e Ballkanit

Si dëshmi se letërsia shqipe paska arritur nivelin artistik evropian, që kanë përcaktuar krijuesit e mëdhenj të popujve të mëdhenj të Evropës, si Eskili, Dante, Shekspiri, Gëte reaguesit ndaj ligjëratës sime marrin shembull përkthimet e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Kongolit, Bashkim Shehut dhe të dy poetëve. Dhe, kështu karshi nivelit të Eskilit, Dantes, Shekspirit dhe Gëtes qëndron niveli i Ismail Kadaresë, i Dritëro Agollit, i Bashkim Shehut dhe i Fatos Kongolit! Bukur! Prozatori dhe diplomati Ylljet Aliçkaj thotë se "shkrimtarët shqiptarë janë më të përkthyer e të pëlqyer se shkrimtarët maqedonas, serbë e boshnjakë, domethënë se shkrimtarët e Ballkanit në Francë, gjë të cilën unë e di mirë". Megjithëse, siç shihet, Ylljet Aliçkaj e zbret një çikë më poshtë nivelin e letërsisë shqipe, prapë nuk mund të thuhet se thotë gjithë të vërtetën. Ballkanin e përbëjnë edhe grekët, turqit, bullgarët, rumunët, malazeztë dhe kroatët, të cilët hidhërohen pa masë kur u thuhet se i takojnë Ballkanit! Po të dinte, vërtet, se kush përkthehet e kush lexohet në Francë dhe në Evropë nga shkrimtarët e Ballkanit, Ylljet Aliçkaj do të na jepte disa të dhëna të tjera. Dhe, do të na thoshte, fjala vjen, se letërsia greke, letërsia rumune, letërsia bullgare, letërsia serbe, letërsia kroate janë shumë shumë, më të përkthyera se letërsia shqipe në Evropë, ndonjëra prej tyre tridhjetë, ndonjëra njëqind e ndonjëra, ndoshta, treqind për qind më të përkthyera se letërsia shqipe. Le të kërkojë informata në internet! Do t'i gjejë. Dhe, pse të mos jenë më të përkthyera? Janë më të pasura, kanë tradita më të gjata, në përgjithësi janë më të zhvilluara se letërsia jonë. Në Serbi e në Kroaci sot ka shumë shkrimtarë të cilëve çdo roman që botojnë në gjuhën kombëtare u përkthehet shpejt në disa gjuhë evropiane. Drama të autorëve serbë e kroatë shfaqen në teatrot e Francës, të Austrisë, të Gjermanisë. Regjisorë serbë e kroatë, madje, edhe regjisore kroate, përgatisin shfaqje në teatrot e disa vendeve evropiane. Prania e letërsive serbe e kroate dhe e krijuesve serbë e kroatë në Evropë iu detyrohet jo vetëm lidhjeve të trashëguara e të reja të vetë krijuesve serbë e kroatë, po edhe shteteve të tyre. Kështu, për shembull, ambasada e Serbisë në Paris boton revistë mujore në gjuhën franceze me shkrime letrare e shkencore të autorëve serbë. Ministria e Kulturës e Serbisë ka komisionin e përbërë prej shkrimtarëve, studiuesve të letërsisë dhe historianëve të cilët bëjnë përzgjedhjen e veprave letrare e shkencore të cilat do të përkthehen në gjuhë të huaja, natyrisht të financuara prej asaj Ministrie. Ç'bëjnë ministritë tona të kulturës? Ministria e Kulturës e Kosovës financon botimin e kiçit zbavitës muzikor dhe festivalet e kiç miseve, por jo përkthimin e veprave letrare e shkencore që meritojnë të përkthehen!

Diana Çuli dhe harta e përkthimit

Nuk mund ta përfundoj këtë përgjigje në reagimet e Besnik Mustafajt, Diana Çulit, Ylljet Aliçkajt dhe të Behar Gjokës pa e cituar një mendim të Diana Çulit për kriteret "që diçka me vlerë letrare të quhet vlerë evropiane". Ja ç'thotë ajo: "Kriteri më i përhapur, më popullor dhe më i pranuar është ai i çmimeve prestigjioze që jepen nga juritë e ndryshme në Evropë, si dhe kriteri i përkthimeve në sa më shumë gjuhë që fliten në kontinentin evropian". Mos do të thotë kjo se përkthimet në gjuhët e popujve të Azisë dhe të Afrikës nuk mund ta përcaktojnë vlerën e veprave letrare! Nuk dua ta supozoj përgjigjen e Diana Çulit! Ç'thotë Diana Çuli më tej? Thotë: "Një vlerë tjetër e pranuar gjerësisht është kontributi që një letërsi e një vendi të caktuar i jep në përgjithësi zhvillimit kulturor të Evropës (si letërsia franceze, angleze etj.), që ngre ura komunikimi midis popujve, që shpie përpara procesin e integrimit kulturor, që shpalos ide të reja përparuese për njerëzimin". Po, t'i lëmë anash formulat socrealiste, që vazhdojnë të jetojnë edhe njëzet vjet pas rënies së komunizmit në kokën letrare dhe politike të koleges sime, Diana Çulit, dhe jo vetëm të Diana Çulit e të shohim ç'flasin për ne kriteret e saj.

Mjerimi i provincializmit

Prej këtyre kritere të Diana Çuli dhe të bashkëreaguesve të saj duhet të nxjerrim përfundimin se një vepër letrare, një vepër shkencore a një vepër filozofike, e shkruar në gjuhën shqipe, ka vlerë letrare, shkencore a filozofike kombëtare dhe evropiane vetëm në qoftë se të tjerët e çmojnë si vlerë, e përkthejnë dhe e shpërblejnë me çmime, medalje, dekorata, tituj të ndryshëm autorin e saj! Sipas kësaj logjike nuk është e rëndësishme çka mendon ti vetë për ato vepra dhe për krijuesit e tyre; e rëndësishme është çka mendojnë dhe çka thonë ata, të tjerët, ata prej të cilëve varet edhe shumëçka në shtetin tënd! Provincializmi nuk ka brirë! Mjerimi i provincializmit më së qarti tregohet e përcaktohet kur ti për veten mendon vetëm si mendojnë ata, të tjerët, për ty! Ti do të çmosh veten vetëm nëse do të çmojnë ata! Mjerimin e provincializmit e tregojnë po aq qartë edhe: lutjet për të marrë çmime; edhe këngët që shoqërojnë marrjen e këtyre çmimeve; edhe vajtimet kur nuk të jepen çmimet me gjithë lutjet. Dhe, kjo komedi po ndodh shpesh në jetën tonë! A ka nevojë të thuhet se ky provincializëm është tepër fyes për kulturën në të cilën ngjet kjo.
Historia i përgënjeshtron keq kriteret që kanë frymëzuar Diana Çulin, Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçkajn dhe Behar Gjokën të reagojnë ndaj mendimit tim se letërsia shqipe nuk e ka arritur ende nivelin artistik të letërsisë evropiane. Historia e përgënjeshtron fort edhe pohimin e tyre se vlerat artistike janë përcaktuese të përkthimit të një letërsie në gjuhë të tjera. Autorët më të përkthyer e më të lexuar sot në botë janë autorët e romaneve pornografike, erotike, kriminalistike, politike, dhe të asaj që quhet letërsi triviale. Kush nuk e di tashmë se shkrimtarët e letërsive të vogla, kryesisht, nuk përkthehen në letërsitë e mëdha për shkak të vlerës së tyre artistike, por për arsye të tjera. Ato duan prej nesh vlera të tjera: "vlera" politike, "vlera" ideologjike; "vlera" fetare. Dhe, do "vlera" të tjera.

Pse përkthehet Ismail Kadare

Reaguesit ndaj ligjëratës sime, Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka si shembull me të cilin do të donin të mohonin pohimin tim në ligjëratën e mbajtur përmendin Ismail Kadarenë. Unë nuk mund ta di a mendojnë ata, vërtet, ashtu siç flasin për arsyet e përkthimit të veprave të Ismail Kadaresë në disa gjuhë. Unë mund të them vetëm çka mua më obligojnë të them kriteret e mia letrare artistike dhe përgjegjësia ime shkencore dhe morale historiko-letrare. Dhe, e para që mund të them për këtë çështje është kjo: nuk është vlera artistike e veprave të Ismail Kadaresë arsyeja kryesore që përkthehen ato. Shumica e veprave të tij janë vepra me frymëzime politike dhe ideologjike, prandaj edhe me vlerë artistike shumë më modeste se ç'na është dukur dikur. Më tej: veprat e tij janë vepra të shkruara në mënyrë anakronike dhe i takojnë, si botëkuptim dhe teknikë krijuese, realizmit socialist - disa dhe realizmit tradicional - disa të tjera. Ato janë rrëfime për njerëz a ngjarje historike e jo vizion i botës dhe analizë e jetës - çka thuhet se është letërsia moderne. Domethënë: arsyeja fillestare dhe e vazhduar e përkthimit të veprave të tij ishte politike dhe ideologjike. Dhe, kjo arsye ishte e atyre që i botonin të përkthyera dhe i atyre që donin që të përktheheshin. Pse them kështu?

Ashtu siç e kanë nxitur dhe, në disa raste, frymëzuar Stalini e Krushçovi përkthimin e veprave të Shollohovit, të Fadjejevit, të Fedinit, të Katajevit, të Leonovit, e të disa shërbëtorëve të tjerë letrarë për nevojat e tyre politike ndërkombëtare, ashtu edhe Enver Hoxha e ka nxitur dhe, disa bashkëkohës thonë, financuar përkthimin e veprave të Kadaresë në frëngjisht. Ai donte t'i tregonte Evropës dhe botës, edhe me gjuhën letrare të një shkrimtari, se Shqipëria ishte ajo kështjella e pamposhtur e stalinizmit, që do t'i qëndrojë trysnisë së revizionistëve sovjetikë dhe të imperialistëve amerikanë. E Ismail Kadare atë qëllim ia përmbushte me veprat e tij dhe me publicistikën e tij. Para rënies së komunizmit, Franca ia përkthente veprat atij, por nuk e shpërblente me çmime autorin e tyre. Stalinizmi i Ismail Kadaresë ishte tepër komprometues për çdo institucion që do ta shpërblente me çmime. Sot, Ismail Kadare është i vetmi shkrimtar i një vendi ish- komunist, që jetën e vet politike dhe veprën e vet letrare dhe publicistike e kishte vënë në shërbim të diktaturës, i cili po shpërblehet me çmime e me tituj nga disa institucione e qarqe të huaja. Pse e përkthejnë dhe pse e shpërblejnë sot? Për rolin e tij prej demokrati në kohën e diktaturës? Si e thanë shpërblyesit spanjollë. Jo. Arsyeja është më e sofistikuar. Nuk e dinë shpërblyesit kush ishte Ismail Kadare? Megjithëse ai po gënjen sa po mundet dhe ku po arrin për të kaluarën e vet politike dhe për frymëzimet e qëllimet e disa veprave të veta, është naivitet të besohet se ata, shpërblyesit, nuk e dinë kush ishte ai. Është naivitet të mendohet se ata nuk e dinë se ai ishte pjesëtar i nomenklaturës komuniste; se ishte deputet në Kuvendin e Republikës Popullore të Shqipërisë; se ishte nënkryetar i Frontit Popullor të Shqipërisë, kryetare e të cilit ishte Nexhmije Hoxha; se romani Dimri i vetmisë së madhe është jetëshkrim politik i Enver Hoxhës dhe himnizim i figurës së tij politike e shtetare në historinë shqiptare; se romani Dasma është jehonë politike dhe ideologjike e revolucionit kulturor kinez dhe ftesë letrare për zbatimin e tij në Shqipëri; se me poema dhe me vjersha glorifikonte Partinë e Punës dhe diktaturën komuniste, luftën e klasave dhe revolucionet socialiste në historinë botërore; se mbi tridhjetë vjet ishte ideologu i realizmit socialist, të cilin për herë të fundit do ta mbrojë në vitin 1989, duke luajtur kështu rolin e komisarit në kulturë; se në vazhdimësi shkruante kundër kapitalizmit dhe, si thoshte, imperializmit amerikan; se mbante ligjërata në Universitetin e Tiranës mbi realizmin socialist si doktrinë letrare e amshueshme dhe mbi dekadentizmin e artit perëndimor; se me mosdurim dhe përbuzje shkruante për fenë dhe, në mënyrë të veçantë, për klerin katolik. Si është e mundshme që një shkrimtari me jetëshkrim të tillë politik, me jetëshkrim aq të padenjë, aq të dënueshëm për një krijues, me jetëshkrim të vënë në shërbim të një ideologjie - të ideologjisë leniniste - staliniste dhe të një diktature - të diktaturës totalitare komuniste, të dënuar nga të gjitha vendet demokratike në botë, t'i jepen sot çmime në emrin e demokracisë? Si është e mundshme që një shkrimtar i tillë politik, numri më i madh i prozave të të cilit janë traktate politike dhe ideologjike me vlera të pakta artistike, të rehabilitohet aq lehtë prej atyre që kanë shpenzuar aq shumë energji intelektuale dhe kanë bërë aq shumë shpenzime materiale për të përmbysur atë ideologji dhe atë politikë në Evropë? Është e mundshme! Gjeniu i servilizmit, i puthakëmbëve, i dinjitetit të përulur intelektual para çdo regjimi, Ismail Kadare, e ka gjetur edhe tani mjetin siç e kishte gjetur në kohën e diktaturës, me të cilin e bën të mundshëm këtë rehabilitim, në të vërtetë këtë shpërblim. Dhe, ky mjet është ideologjia. Në kohën e diktaturës, siç u theksua, kjo ishte ideologjia marksiste-leniniste e versionit stalinist, që e sundonte Shqipërinë dhe Evropën Lindore. Ismail Kadare i shërbente përtokas asaj ideologjie dhe ajo e shpërblente: me pozita, me tituj, me dekorata, me pasaportë diplomatike, me të gjitha privilegjet e mundshme. Në kohën e demokracisë kjo është ideologjia fetare. Ismail Kadare tani po i shërben kësaj ideologjie, duke përbuzur islamin dhe duke frymëzuar islamofobinë, në njërën anë, kurse duke propaganduar kthimin në "fenë e të parëve" të pesë milion shqiptarëve të besimit islam në Ballkan, në anën tjetër. Dhe, kjo ideologji fetare po e shpërblen. Qarqeve konservative evropiane që Evropën e imagjinojnë si kështjellë të krishterimit, zëdhënës i të cilave është kryeministri i sotëm italian (delikuenti, si e quajti Hoze Saramago), Silvio Berluskoni, nuk u intereson kush ishte dhe kujt e çkaje i shërbente Ismail Kadare: kryesore për ta është se Ismail Kadare sot shërben mirë, përulshëm dhe mund të përdoret si Kalë Troje për atë që këto qarqe dëshirojnë të arrijnë ndër shqiptarët! Dhe, kjo ideologji e ka bërë të mundshëm rehabilitimin e Ismail Kadaresë edhe në Shqipëri, madje, edhe te kleri katolik shqiptar! Dhe, pse të mos e bëjë. Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist i cili prej përmbysjes së komunizmit sundohet prej komunistëve, në të vërtetë prej stalinistëve të konvertuar me gojë, po jo me mentalitet politik. Edhe sot, njëzet vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist, që e sundon ish-sekretari i Partisë e kjo domethënë ish-bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit. Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist në të cilin shpërblehet, festohet, privilegjohet në radhë të parë shkrimtari, të cilin e shpërblente, e festonte dhe e privilegjonte si zëdhënës të vetin diktatura komuniste! Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist, në të cilin asnjë viktimë e diktaturës nuk ka arritur të krijojë karrierë politike. Shqipëria është sot i vetmi vend ish-komunist në të cilin ish-sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë luan me të përndjekurit dhe me ish-të burgosurit politikë si me lecka. Dhe, le të luajë kur e lejojnë! Dhe, e votojnë! Dhe, Kosova është i vetmi vend ish-komunist në të cilin ish-zëdhënësi i Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë dhe ish-drejtori i Radio-Televizionit të Prishtinës, pas vitit 1981, kur rinia dhe inteligjencia shqiptare përndiqej e masakrohej prej regjimit të paraardhësve të Millosheviçit e, pastaj, të Millosheviçit, mbahet qe tetë vjet drejtor i institucionit më të rëndësishëm politik dhe informativ në Kosovë; i vetmi vend ish-komunist ku zyrtarë të ndryshëm të kohës së Millosheviçit bëhen zyrtarë, diplomatë, gjykatës të Republikës së Kosovës! Po, nuk janë këto patologjitë e vetme, as më të mëdhatë të demokracisë sonë primitive, të ndotur dhe të korruptuar. Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte shoqëri në krizë të rëndë shpirtërore dhe morale ajo, jo që nuk do të rehabilitonte Ismail Kadarenë dhe të tjerë me jetëshkrim politik të ngjashëm me të tijin (megjithëse me jetëshkrimin e tij nuk krahasohet jetëshkrimi i asnjë tjetri), por do të kërkonte llogari politike dhe morale prej tij. Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë të rëndë shpirtërore dhe morale siç është, inteligjencia shqiptare jo vetëm se nuk do të rehabilitonte Ismail Kadarenë dhe ismailkadarenjtë e tjerë, por do të mënjanonte njëherë e përgjithmonë modelin e mendimit dhe të sjelljes së tij të pamoralshme intelektuale, në të cilin model janë të përmbajtura: gatishmëria e shërbimit ndaj çdo regjimi, servilizmi, hipokrizia bizantine, përdorimi i çdo mjeti për të arritur qëllimin, trysnia staliniste ndaj mendimit ndryshe, rrena, mashtrimi, intriga e të këqija të tjera. Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë të rëndë shpirtërore dhe morale siç është, sikur prej jetës intelektuale të kësaj shoqërie të ishte mënjanuar modeli i mendimit dhe i sjelljes alla Ismail Kadare, atëherë nuk do të ndodhnin as reagime në të vërtetë trysni kooperativiste ndaj mendimit ndryshe, siç është reagimi i Besnik Mustafajt, Diana Çulit, Ylljet Aliçkajt dhe Behar Gjokës ndaj një fjalie të Rexhep Qosjes, së cilës ata nuk janë aq të padijshëm që të mos i besojnë, që është reagim tipik për stalinizmin dhe për fashizmin. Dhe, ta përfundoj këtë përgjigje. Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë të rëndë shpirtërore dhe morale siç është, sikur demokracia shqiptare të mos ishte primitive, e ndotur dhe e korruptuar siç është, sikur kjo demokraci të mos ishte e sunduar prej ish-sekretarit të partisë, domethënë prej ish-stalinistit, atëherë inteligjencia jonë, e me ta edhe Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka do ta shihnin gjendjen tonë shoqërore, politike, kulturore, letrare, shkencore, urbane siç është në të vërtetë dhe nuk do të mashtronin veten e popullin me iluzione mbi nivelet tona të paqena letrare artistike, shkencore, demokratike e të tjera gjoja evropiane. Se, siç dihet, vetëm ata që e shohin gjendjen siç është, realisht, objektivisht, dinë çka të bëjnë dhe si të bëjnë që këtë gjendje ta ndryshojnë, ta përmirësojnë e ta çojnë përpara: që këtë gjendje ta bëjë gjendje vërtet evropiane.

Rexhep Qosja, Prishtinë, 29.8.200 (Botuar ne Gazeten Shqiptare)