Pierre Bayard, lindur më 1954, është profesor i letërsisë franceze në Universitetin Paris VIII dhe psikanalist.
Ai është i njohur sidomos për esenë e tij (pjesë nga e cila do të lexoni më poshtë) Si të flasim për libra që nuk i kemi lexuar ? ku kritikon idenë e njohur sipas së cilës do të kishte një kufi të prerë ndërmjet leximit dhe mosleximit, dhe e fton lexuesin të ndërtojë me tekstin letrar një raport më të lirë, më pak të kompleksuar.
SI TE FLASIM PER LIBRA QE NUK I KEMI LEXUAR?
I lindur në një mjedis ku lexohej pak, duke mos e shijuar fare këtë veprimtari dhe duke mos pasur kohë sidoqoftë për t’iu kushtuar, shpesh jam gjendur, si rrjedhojë e atyre rrethanave që jeta na i gatit jo rrallë herë, në situata të vështira ku më duhej të shprehesha në lidhje me libra që nuk i kisha lexuar.
Si profesor i letërsisë në universitet, unë nuk mundem në fakt t’i shpëtoj detyrimit për të komentuar libra që, shumicën e kohës, nuk i kam hapur fare. Është e vërtetë se kështu ndodh dhe me shumicën e studentëve që më dëgjojnë, por mjafton që vetëm njëri në klasë të ketë pasur rastin ta lexojë tekstin për të cilin flas, dhe atëherë klasa ime do të ndizet duke më vënë përnjëherë në një gjendje të vështirë.
Veç kësaj, shpesh jam i detyruar të analizoj botime në kuadrin e librave dhe artikujve të mi që, kryesisht, sillen mbi ato të të tjerëve. Ushtrim ende më i vështirë, sepse, në dallim me ndërhyrjet gojore që mund të lënë aty-këtu pasaktësira të padëmshme, komentet e shkruara lënë gjurmë dhe mund të verifikohen lehtë.
Për shkak të këtyre situatave me të cilat jam i afërt tashmë, kam ndjesinë se jam fort i përshtatshëm, në mos për të kryer një mësimdhënie të vërtetë, të paktën për të përcjellë një përvojë të thellë mos-lexuesi dhe për të hapur një refleksion mbi këtë çështje tabu, refleksion i cili mbetet shpesh i pamundur për shkak të numrit të ndalimeve që ai duhet të kapërcejë.
*
Të pranosh të përcjellësh kështu përvojën tënde nuk ecën në fakt pa njëfarë guximi, dhe nuk është e habitshme që ka kaq pak tekste të cilat të mburrin meritat e mosleximit. Kjo është ngaqë ky moslexim ndeshet me një sërë shtrëngimesh të brendëzuara të cilat ndalojnë për ta parë çështjen në sy, ashtu siç do të orvatem ta bëj këtu. Të paktën tre shtrëngime janë përcaktuese.
Shtrëngimi i parë do të mund të quhej detyrimi për të lexuar. Ne jetojmë ende në një shoqëri, ç’është e vërteta në zhdukje e sipër, ku leximi mbetet objekt i një forme shenjtërimi. Ky shenjtërim sillet në mënyrë më të dukshme mbi njëfarë numri tekstesh kanonike – lista larmon sipas mjediseve – që është pothuaj e ndaluar të mos i kesh lexuar, përveç nëse nuk dëshiron të ta heqin vizën.
Shtrëngimi i dytë, i afërt me të parin por megjithatë i ndryshëm, do të mund të quhej detyrimi për të lexuar gjithçka. Nëse të moslexuarit shihet me sy të keq, ndodh pothuaj njëlloj dhe me të lexuarit shpejt apo me të shfletuarit, dhe sidomos me thënien e kësaj me zë të lartë. Kështu, do të jetë pothuaj e pamendueshme për universitarët e letërsisë që të pranojnë – çka megjithatë kjo vlen për shumicën prej tyre –, që ata thjesht e kanë shfletuar veprën e Proustit, por pa e lexuar të plotë.
Shtrëngimi i tretë ka të bëjë me ligjërimin e mbajtur mbi librat. Një postulat i nënkuptuar i kulturës sonë thotë se, për të folur me saktësi mbi një libër, është e nevojshme që ta kesh lexuar më parë. Mirëpo, sipas përvojës sime, është plotësisht e mundshme që të mbash një bisedë tërheqëse në lidhje me një libër që nuk e kemi lexuar, përfshirë këtu, dhe ndoshta sidomos, me dikë që edhe ai nuk e ka lexuar.
Ende më tej, siç do të shfaqet në vijim të kësaj eseje, nganjëherë është madje e dëshirueshme që, për të folur me saktësi mbi një libër, ne të mos e kemi lexuar atë të plotë, madje të mos e kemi hapur fare. Sidoqoftë, unë nuk do të pushoj së ngulmuari mbi rreziqet, shpesh të nënvlerësuara, që lidhen me leximin për atë i cili dëshiron të flasë për një libër, apo ende dhe më mirë, ta analizojë atë.
*
Ky sistem shtrëngues detyrimesh dhe ndalimesh ka për pasojë lindjen e një hipokrizie të përgjithshme mbi librat vërtetë të lexuar. Njoh fare pak fusha të jetës vetjake, me përjashtim të atyre të parasë dhe të seksualitetit, për të cilat është kaq e vështirë të merren informacione të sigurta sa ç’është për atë të librave.
Në mjedisin e specialistëve, për arsye të shtrëngimit të trefishtë që sapo thashë më lart, gënjeshtra është e përgjithshme, sepse ajo është në përpjesëtim të drejtë me rëndësinë që ka libri. Edhe pse vetë unë kam lexuar pak, unë njoh megjithatë mjaftueshëm disa libra – mendoj këtu dhe për Proustin – që të mund të vlerësoj, në bisedat me kolegët e mi, nëse ata thonë apo jo të vërtetën kur flasin, dhe që të di se kjo ndodh fare rrallë.
Gënjeshtra ndaj të tjerëve, por edhe, dhe padyshim së pari, gënjeshtra ndaj vetvetes, aq e vështirë është nganjëherë që ta pranojmë para vetes sonë se nuk e kemi lexuar këtë apo atë libër të mbajtur për libër thelbësor në mjedisin ku bëjmë pjesë. Dhe aq e madhe është, në këtë fushë si dhe në shumë të tjera, aftësia jonë për të rindërtuar të kaluarën, për ta bërë atë në përputhje me lutjet tona.
Kjo gënjeshtër e përgjithshme e cila zë vend sapo flasim për libra është ana tjetër e tabusë që rëndon mbi mosleximin, dhe e rrjetit të angështive, padyshim të ardhura nga fëmijëria jonë, që e mbështesin atë. Kështu, është e pamundur të shpresosh të dalësh i palagur nga situata të tilla pa analizuar fajësinë e pavetëdijshme që ngjall pohimi i të mospasurit lexuar disa libra, dhe në fakt, kjo ese do të donte ta zbuste, të paktën pjesërisht, këtë fajësi.
Të reflektosh mbi librat e palexuar dhe mbi ligjërimet që ata ngjallin është aq më e vështirë që nocioni i mosleximit nuk është i qartë, dhe që pra nganjëherë është e vështirë të dihet nëse gënjehet apo jo kur dikush pohon se ka lexuar një libër. Ky nocion mpleks në fakt qenien në gjendje për të vendosur një ndarje të qartë mes leximit dhe mosleximit, ndërkohë që, në të vërtetë, mjaft forma takimi me tekstet gjenden në një zonë të ndërmjetme.
Ndërmjet një libri të lexuar me vëmendje, dhe një libri që nuk e kemi pasur kurrë nëpër duar, dhe që madje as ia kemi dëgjuar zërin, ekzistojnë mjaft shkallë të ndryshme që është me vend të shqyrtohen me kujdes. Kështu, është me rëndësi që, për librat e ashtuquajtur të lexuar, vëmendja të sillet ndaj asaj çka kuptohet saktësisht me lexim, ngaqë ky i fundit, në fakt, mund të dërgojë në praktika mjaft të ndryshme. Anasjelltas, mjaft libra dukshëm të palexuar nuk janë pa njëfarë ndikimi të ndjeshëm mbi ne, përmes jehonave që na mbërrijnë.
Kjo paqartësi e cakut ndërmjet leximit dhe mosleximit do të më shtrëngojë të reflektoj, në një mënyrë më të përgjithshme, mbi mënyrat tona të qenies me librat. Kështu, kërkimi im nuk do të mjaftohet vetëm me ndërtime teknikash të ndryshme të cilat të lejojnë për t’iu ikur situatave të vështira të bisedës, por do të synojë njëherësh dhe të përpilojë, nëpërmjet analizës së këtyre situatave, elementët e një teorie të vërtetë të leximit, të vëmendshme ndaj gjithçkaje që tek leximi – dobësira, mangësira, përafrime – futet, në kundërshtim me imazhin ideal që jepet shpesh, në një formë moslidhjeje.
*
Këto vërejtje përcjellin natyrshëm drejt planit të kësaj eseje. Në pjesën e parë, do të filloj të shkoqis tipet e mëdha të mosleximit, që nuk thjeshtohen pra në faktin e mos-hapjes së një libri. Librat që kemi përshkuar, ata për të cilët kemi dëgjuar, ata që i kemi harruar, futen edhe këta, në shkallë të ndryshme, në këtë kategori tejet të pasur të mosleximit.
Pjesa e dytë do t’i kushtohet analizës së situatave të mirëfillta në të cilat ne mund të jemi të detyruar të flasim për libra që nuk i kemi lexuar. Edhe pse nuk bëhet fjalë që të kryejmë një shoshitje të gjatë të larmisë së rasteve të ndryshme me të cilat na përplas jeta e egër, disa shembuj domethënës – nganjëherë të huazuar në mënyrë të maskuar nga përvoja ime vetjake – mund të lejojnë që të nxirren në pah disa ngjashmëri mbi të cilat do të mbështetem pastaj për të ecur në parashtrimet e mia.
Pjesa e tretë, më e rëndësishmja, është ajo që ka motivuar shkrimin e kësaj eseje. Ajo qëndron në një sërë këshillash të thjeshta, të mbledhura përgjatë një jetë të tërë prej moslexuesi. Këto këshilla synojnë të ndihmojnë një moslexues që has në këtë problem bisedimi, për ta zgjidhur atë sa më mirë e mundur – dhe madje për të përfituar nga kjo situatë –, por duke i lejuar në të njëjtën kohë që të reflektojë në thellësi mbi veprimtarinë e leximit.
*
Por këto vërejtje nuk përcjellin vetëm tek struktura e kësaj eseje, ato nxisin gjithashtu për të pasur parasysh raportin e çuditshëm me të vërtetën që ngjall fakti i të folurit për libra dhe për hapësirën e veçantë që ndërtohet atëherë. Me qëllim që të shkojmë në thelbin e gjërave, më duket e nevojshme të ndryshoj ndjeshmërisht edhe vetë mënyrën e të folurit për libra, madje deri tek fjalët e përdorura për përmendjen e tyre.
Besnik ndaj tezës së përgjithshme të kësaj eseje, e cila do që nocioni i librit të lexuar të jetë i dykuptimtë, do të tregoj tani, si shënim në formë të shkurtuar, për të gjithë librat që citoj apo komentoj, shkallën e njohjes time mbi të .
Qëllimi i kësaj serie treguesish, që do të shpjegohen në ecje e sipër, është që të plotësojë ata tregues të tjerë të cilët figurojnë tradicionalisht në fund të faqes dhe që nëpërmjet të cilëve autori vë në dukje librat që pretendohet t’i ketë lexuar (vep. e cit., po aty, etj.). Mirëpo, siç dhe do ta tregoj duke u nisur nga shembulli im vetjak, shpesh ne flasim për libra që i njohim keq, dhe për ta thyer këtë përfytyrim të paqenë të leximit, ne do të saktësojmë çdo herë çfarë dimë për ta.
Kjo seri e parë treguesish do të plotësohet nga një e dytë që synon të shprehë opinionin tim mbi librat e cituar, të kaluar ose jo në dorë . Në fakt, sapo unë mbështes idenë që vlerësimi i një libri nuk mpleks leximin e tij paraprak, atëherë nuk ka asnjë arsye që […]
Pergatiti: un
e enjte, gusht 27
Bayard: Si te flasim per libra qe nuk i kemi lexuar?
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment